Tatimet ultimatum ndërtuesëve: Deklarim real pagash dhe punonjësish, përndryshe penalitete


Administrata Tatimore u ka dërguar një njoftim kompanive që operojnë në sektorin e ndërtimit, duke kërkuar deklarimin real të pagave dhe punonjësve, si dhe duke paralajmëruar nisjen e aksioneve kontrolluese në këtë sektor.

Në shkresën zyrtare, të cilën Fast News Economy e disponon, theksohet se Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka nisur zbatimin e një plani të posaçëm monitorimi për sektorin e ndërtimit, bazuar edhe në të dhëna të siguruara nga institucione të tjera shtetërore.

Sipas njoftimit, kompanitë e ndërtimit janë të detyruara të deklarojnë çdo punonjës të punësuar, të raportojnë pagat reale sipas profesionit, të kryejnë blerjen e mallrave dhe shërbimeve vetëm me faturë të rregullt tatimore, si dhe të deklarojnë saktë kontratat e qiramarrjes.

Po ashtu, tatimet kërkojnë përdorimin ekskluziv të softuerëve të certifikuar për procesin e fiskalizimit.

Administrata Tatimore paralajmëron se mosrespektimi i këtyre detyrimeve ligjore do të shoqërohet me masa ndëshkuese dhe penalitete për të gjitha subjektet që nuk zbatojnë kërkesat.



Burimi Monitor.al