Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar-mars 2021 kapën vlerën 4,039 milionë lekë, ose 12.52 % më shumë se në periudhën janar-mars 2020.
Sipas të dhënave të publikuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), gjatë periudhës janar-mars 2021, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 202,944 me një ulje prej 15.61 % krahasuar me periudhën janar-mars 2020.
Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e jo-jetës, të cilat sollën 92.71 % të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë përkatësisht sigurimet e jetës me 7.27 %.
Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 44.10 % dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 55.90 % të totalit të tregut.
Gjatë periudhës janar-mars 2021, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 2,083 milionë lekë, ose 8.27 % më pak se në periudhën janar-mars 2020.
Ndërsa dëmet e paguara bruto të sigurimit motorik kapën vlerën 1,007 milionë lekë, duke pësuar një rritje me rreth 50.29 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.










