Të ardhurat nga tatim fitimi në 2019-s, 142% më të larta krahasuar me 2013-n

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaroi sot se ndërtimi i një sistemi dhe regjistrave, përmes së cilëve kryqëzohen të dhënat në kohë reale për bizneset dhe individët ka përmirësuar ndjeshëm të ardhurat në buxhetin e shtetit.

“Jemi në mesin e një procesi rindërtimi të një sistemi të rëndësishëm, çka ka sjellë më shumë të ardhura që realisht ekonomia shqiptare prodhon në buxhet”, deklaroi Denaj gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin Edi Rama me fokus ekonominë.

Ministrja Denaj analizoi disa nga treguesit fiskal.

“Të ardhurat nga tatim fitimi në buxhetin e shtetit llogariten në fund të vitit 2019, 142% më të larta krahasuar me vitin 2013. Kjo rritje u ndikua vetëm në masën 25% nga rritja e taksës nga 10% në 2013 në 15%”, tha ministrja.

Sipas saj, rritja prej 142% në vlerë absolute erdhi nga miradministrimi fiskal dhe përpjekja e vazhdueshme e Administratës Tatimore për të formalizuar ekonominë.

Kjo përpjekje, vuri në dukje ministrja, ka nisur prej vitit 2014 dhe ka dhënë rezultate që tani janë të dukshme.

GELDTrade.al