Të huajt konsumojnë 129 milionë euro prodhime shqiptare – 10-mujori/ Rriten eksportet bujqësore, “merr hov” agroindustria dhe peshkimi

Sektori bujqësor dhe ai i peshkimit kanë pasur perfomancë pozitive në 10 muajt e parë të vitit, çka tregon kërkesë në rritje nga tregjet e huaja për prodhimet “Made in Albania” Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, bujqësia ka eksportuar produkte në vlerën e 15.6 miliardë lekëve apo 129 milionë eurove, me një rritje prej 5.5 për qind në vlerë, krahasuar me Janar-Tetor 2020. Bëhet fjalë për fruta dhe perime të freskëta të prodhuara nga fermerët shqiptarë dhe të destinuara për eksport.

Në total jane eksportuar rreth 205 mijë ton produkte.  Ndërkohë agroindustria ka njohur rritjen më të madhe në sasi raport me një vit më parë. Ndikim kryesor në këtë zë ka eksporti i peshkut të konservuar dhe açuges, vera, vaji i ullirit, etj. Vendi ynë ka eksportuar në Janar-Tetor  2021, 78.5 ton produkte me nje vlerë prej 15.1 miliardë lekësh. Rritja në vlerë për këtë sektor është 20.1 për qind, apo rreth 2.5 miliardë lekë.  Peshkimi po ashtu ka ecur në trend rritës gjatë këtij vitit, ku janë eksportuar 8100 ton produkte, me një vlerë prej 6 miliardë lekësh, apo 1.2 miliardë lekë më shumë se një vit më parë.

Ndërsa blegtoria ende mbetet një sektor “i vështirë” në këtë drejtim, dhe pse pritshmëritë për vitin e ardhshëm janë pozitive duke qenë se do të nisë eksporti i produkteve blegtorale me vendet e rajonit. Ndërkaq, për vitin 2022 buxheti i Ministrisë së Bujqësisë i ka dhënë prioritet më së shumti zhvillimit rural, në mbështetje të prodhimeve bujqësore, blegtorale, agroindustriale, me një fond total prej 7 miliardë lekësh, me qëllim rritjen e mëtejshme të eksporteve.