Franca është goditur sërish nga një sulm për sabotimin e Lojrave Olimpike “Paris 2024”. Këtë herë janë vëndë në shënjestër kompanitë e telekomunikacionit në Francë. Sulmi ka ndodhur pak ditë pas pas sabotimit të rrjetit hekurudhor të vendit. Autoritetet kanë raportuar incidente në 6 rajone administrative të vendit.
Sipas tyre, rrjeti i fibrave optike është prerë dhe linjat e telefonisë fikse dhe asaj të lëvizshme janë prekur nga defekti.
Askush nuk e ka marrë përsipër përgjegjësinë për sulmet, që deri tani nuk kanë ndikuar në zhvillimin e Lojërave Olimpike.
Marina Ferrari, sekretare e shtetit për çështjet digjitale, deklaroi në një postim në rrjetin “X” se nën mbikëqyrjen e saj, autoritetet dhe operatorët po punojnë për të rikthyer sa më shpejt shërbimin.
Aktet e sabotazhit vijnë tre ditë pas sulmeve me zjarr ndaj infrastrukturës hekurudhore franceze, që çoroditi itineraret e udhëtimeve pak orë pas nisjes së ceremonisë së Lojërave Olimpike.
Që prej atëherë, autoritetet kanë njoftuar se kanë bërë një arrestim. Ministri i Brendshëm, Gerald Darmanin sqaroi të hënën se personi i arrestuar rezulton një aktivist i së majtës ekstreme.
Sipas tij, hetimet e deritanishme kanë treguar se gjasat janë që ekstremistët e majtë të jenë pas sulmit zjarrvënës.
“Kemi identifikuar profilet e personave të ndryshëm. Ky është një veprim tipik i së majtës ekstreme”, tha ministri i Brendshëm.
Një “militant ultra i majtë” u arrestua në Francën veriperëndimore të dielën pasi u kap duke u sjellë në mënyrë të dyshimtë pranë një stacioni hekurudhor.
Oficerët që kontrolluan makinën e burrit në fjalë, gjetën një sërë çelësash universale, pinca dhe literaturë “të lidhura me të majtën ekstreme”.
