Paolo Tramexani e pranon hapur se drejtimi i kombëtares shqiptare është një nga objektivat që i ka vënë vetes në karrierë. Ish-ndihmësi i Xhani De Biazit në drejtimin e kuqezinjve, ka folur rreth përfaqësueses shqiptare, elementëve që ka por edhe zgjedhjes së Silvinjos si pasardhësi i Edi Rejas.
I pyetur për Brojën, Asllanin dhe Kumbullën, fillimisht ai theksoi se kjo konfirmonte potencialin e madh që kishte Shqipëria. “Këto emra konfirmojnë atë që kamë thënë prej shumë kohësh. Ata luajnë në skuadra të rëndësishme, janë lojtarë të rinj dhe në të ardhmen këta lojtarë dhe kjo kombëtare mund të bëhen gjithnjë e më të mirë”, theksoi trajneri italian i cili është pa skuadër pas largimit nga Sioni.
Ai komentoi më pas edhe zgjedhjet që janë bërë në stolin kuqezi, me afrimin e Silvinjos në vend të Rejës. “Nuk dua të hyj në detaje rreth kësaj zgjedhje, por kam shumë besim te Armand Duka, presidenti i federatës dhe jam i sigurt se ai ka bërë si gjithmonë zgjedhjen e duhur.
Sipas meje, Reja ka bërë një punë të shkëlqyer, ai i shtoi qëndrueshmëri ekipit dhe luajtën disa ndeshje të bukura. Kam shumë respekt për të gjithashtu edhe për faktin se ai ka qenë trajneri im kur unë isha futbollist. Sipas meje, ai ka bërë maksimumin që mund të bënte me atë skuadër.
Ofertë nga FSHF? Do të tregohem i sinqertë dhe them që nuk kam marrë ndonjë ofertë, por uroj që në të ardhmen ta kem këtë mundësi. Është ëndërr e imja që të drejtoj atë skuadër”, theksoi Tramexani në fjalët e tij.
