Turizmi malor në Alpet shqiptare

Shqipëria mund të krenohet edhe me turizmin malor, i cili është i preferuar edhe nga të huajt. Zona e Thethit konsiderohet për mjaft turistë një nga pjesët më të bukura malore në të gjithë Europën.

Thethi me pamjen përballë Alpeve shqiptare, 70 km nga qyteti i Shkodrës, i rrethuar nga një kurorë malesh, nga mali Radohimë, Shenik, Papluk, me lartësi mbi 2500 m, shtrihet lugina e lartë e Thethit, një nga zonat më të veçanta të këtyre Alpeve, 750 deri 950 m mbi nivelin e detit, me një sipërfaqe prej 2630 hektarësh. I mbrojtur nga muret e maleve madhështore, i shtruar me livadhe, pyjet e ahut e burime të ftohta uji, zona malore turistike e Thethit e shndërron Shqipërinë në një vend potencialisht të fuqishëm për turizmin malor në të gjitha stinët. Madhështia e natyrës së paprekur që të ofron kjo zonë nis me praninë e pyjeve të dendura, ku përveç pemëve të larta mbizotëron dukshëm edhe bimësia e ulët me lule shumëngjyrëshe e të rralla në llojin e vet.

Thethi rrethohet nga male të larta dhe qafa mahnitëse, duke filluar nga Qafa e Thanës, Shtegu i Dhenve, Radohima, Sheniku, Papluku, Maja e Alisë, Qafa e Pejës, Gropa e Bukur, Qafa e Jezercës, Maja e Zezë, Maja e Zorgjit, që fshehin në brendësinë e tyre ballafaqime të panumërta me alpinistë, spedologë, botanistë, gjeografë dhe shumë dashamirës të alpeve, te të cilët kjo zonë sigurisht lë mbresa të pakrahasueshme.

Resurset natyrore të kësaj zone janë të lidhura së bashku edhe me trashëgiminë kulturore dhe historike të banorëve vendas, duke formuar kështu bazat më të rëndësishme për zhvillimin e turizmit.  Shpella e Harapit dhe Bira e Rrathëve, të cilat me përmasat e tyre dhe dukuritë interesante që mbartin brenda tyre si liqenet nëntokësore, galeri, sifone etj., janë bërë shkak i shumë legjendave të krijuara nga vetë banorët e zonës. Një bukuri natyrore, të veçantë, të bjeshkëve të veriut, shpalos në këtë zonë Ujëvara e Thethit me 25 m lartesi.

Një vizitë edhe në Valbonë, aty ku plazhi ndërthuret me bjeshkët

Uji i pastër i lumit Valbonë, ambienti i bukur natyror dhe qetësia e bëjnë këtë zonë mjaft tërheqëse për pushime. Pothuajse gjatë gjithë 51 km të lumit gjen pushues, të cilët jo vetëm freskohen në ujin e pastër, por gjuajnë edhe troftat e rralla të Valbonës.

Lugina e Valbonës është zona turistike më e vizituar në rrethin e Tropojës, madje nga më të vizituarat në Alpet shqiptare pas luginës së Thethit. Kjo zonë me bukuri të rralla është e preferuar jo vetëm nga turistët vendas por edhe nga turistët e huaj, të cilët parapëlqejnë të njihen edhe me zakonet apo traditat e fshatrave më veriore të vendit. Në Valbonë nuk ka hotel të mirëfilltë, por disa shtëpi-kulla karakteristike janë përshtatur sipas traditës në hotele për turistët.