Turizmi përfiton 69% të ndihmës sektoriale

Sektori i turizmit po njeh rritje të vazhdueshme të çmimeve nga viti në vit, e cila nuk vjen vetëm si rrjedhojë e nivelit të inflacionit, por edhe të kërkesës së lartë nga pushuesit vendas dhe turistët. Pavarësisht se është i privilegjuar nga politikat fiskale shtetërore, sërish kjo nuk ka ndikuar për të mbajtur çmime të qëndrueshme. Referuar raportit vjetor për ndihmat shtetërore të dhëna gjatë vitit 2022, rezulton se sa i takon ndihmës sektoriale që lidhet më së shumti me incentivat fiskale, si përjashtime nga taksa apo subvencionime, sektori i turizmit ka qenë më i “përkëdheluri”.

Konkretisht, ndihma sektoriale  për sektorin  e  turizmit  nga  buxheti  i  shtetit  për  vitin 2022 zë 69 %, ndërsa pjesa tjetër është dhënë për transport publik hekurudhë, 17 për qind, 12 për qind për shërbim publik dhe 2 për qind për infrastrukturën broadband. Sa i takon specifikisht sektorit të turizmi,  strukturat  akomoduese  kanë përfituar nga reduktimi i TVSH-se nga 20% në 6% për vitin 2022, afro 2 miliardë lekë,  dhe në total llogariten 96 subjekte  përfituese.   Ndërsa sa i takon mbështetjes financiare të projekteve në sektorin e turizmit, në vitin  2022  janë  dhënë  109 milionë  lekë  me  40 përfitues.

Nëse do të bëjmë një krahasim në katër vitet e fundit, duket se mbështetja më e turizmin ka filluar vitin 2019 ku është dhënë edhe vlera më e lartë, me rreth 3 miliardë lekë në total, ndërkohë që ka pasur një rënie të ndjeshme përgjatë viteve 2020-2021, respektivisht 744 mln lekë dhe 1.3 miliardë leke, për të arritur ne 2 miliardë lekë në 2022.

Vitin që lamë pas, ndihma  shtetërore  sektoriale  në vlerë  absolute  është rreth  3 miliardë lekë. Pesha për këtë kategori në totalin e ndihmës në vitin 2022 është 48.1%.