Një prej urave më të bukura të periudhës së perandorisë osmane në Shqipëri, e ndërtuar në shek. XVIII në qendër të Beratit, Ura e Goricës lidh qytetin me lagjen e të njëjtit emër. Ajo harkohet në mes me një elegancë të theksuar, me këmbët e saj të cilat zbresin nga 10 metra lartësi mbi dy anët e shtratit të lumit Osum. Shtatë harqe, parmakë prej druri, e “dritare” të vogla, të cilat shpeshherë duken si fytyra njerëzish, i japin kësaj ure një pamje të rrallë, një pamje e cila reflekton vërshime të skajshme, tërbime dhe kohë të ashpra mbi të.
Unike në stilin e vet, më një gjatësi 130 metra e gjerësi mbi 5 metra, edhe kjo urë ndiqet nga lajtmotivi i urave të vjetra, e legjendave të cilat tregojnë se aty është murosur një vajzë e re për të siguruar themelet e urës. Krenarë për urën që gjendet mes tyre, vendasit tregojnë se një punim i tillë rrallë gjendet. Duke vlerësuar arkitekturën si edhe rëndësinë e saj historike, studiuesit mendojnë se kjo është ura më e bukur në Shqipëri. Udhëtarët e çdo kohe, të cilët kanë kaluar nga Berati, janë befasuar nga kjo vepër inxhinierike, dhe e kanë dokumentuar atë në gravura, foto e mjaft vizatime. Në fakt, të dhënat e para mbi Urën e Goricës i ka dhënë kronisti i famshëm osman, Evlija Çelebi, në ditarin e tij të udhëtimeve.
Në vitin 1780, ishte Pashai Ahmet Kurti i Beratit ai që financoi ndërtimin e Urës së Goricës, e cila ishte fillimisht e drunjtë. Vendasit mendojnë se ajo u ndërtua pikërisht kur lindi nevoja për të komunikuar mes dy brigjeve të Osumit, në periudhën kur filloi të ndërtohej e popullohej lagja e Goricës. Për fat të keq, më 1918, në mbarim të luftës së parë botërore, një shpërthim dinamiti shkatërroi një pjesë të saj. Por, fatmirësisht, në këtë rast ajo u rindërtua vetëm pas pak kohe në gur, duke marrë formën dhe bukurinë që zotëron sot.