Vithkuqi – Fshati Turistik i Pazbuluar me Histori, Traditë dhe Resurse Natyrore

Vështirë se gjen një fshat si Vithkuqi të pasur me natyrë, traditë, kulturë dhe resurse turistike.

Për bukuritë dhe historinë që ka kjo zonë e Korçës, bën që ajo të renditet ndër fshatrat parësor për potencial turistik, duke qendruar përkrah me Voskopojën dhe Dardhën për nga resurset që trashëgon.

I pozicionuar vetëm 20 km larg Korçës në jug-perëndim të saj, është i pasur me një relievi malor dhe me një klimë alpine të përshtatshme për një turizëm gjithëvjetor.

Vithkuqi zë një vend të veçantë në Shqipëri përsa i përket kishave, jo thjesht për nga numri i tyre, por arkitektura e ndërtimit dhe zbukurimet. Mëpërpara kjo zone ka pasur 24 kisha, ndërsa tani ka vetëm 14 të  tilla, gjashtë prej të cilave janë monumente kulture të  kategorisë së parë. Ku përmendim Manastirin e Shën Pjetrit, Kishën Shën Marias, Kishën e Shën Mëhillit apo edhe Kishën e Shën Gjergjit.

Kishat e Vithkuqit të tipit bazilikë janë të pasura me afreske dhe ikonastase të punuar nga mjeshtrat e pikturës ku përmendim vëllezërit Zografi. Ekzistenca e tyre vërteton edhe njëherë rëndësinë historike dhe kulturore të kësaj zone. Një tjetër objekt kulti me interes e kësaj zone është edhe  “Varri i pagëzimit”, sipas gojëdhënës, në këtë varr janë varrosur gjithë pjesëtarët familje vithkuqare. Një prift grek, është bërë shkaktari i një tragjedie në fshat pasi nuk pranoi të pagëzonte në gjuhën shqipe një fëmijë të sapolindur me argumentin se riti i shenjtë mund të bëhej vetëm në gjuhën greke. Foshnja vdiq në derën e kishës nga të ftohtit dhe më pas u shua e gjithë familja e tij nga pikëllimi.