WhatsApp ka prezantuar një opsion të ri të quajtur Keep in Chat, i cili lejon përdoruesit të parandalojnë zhdukjen e mesazheve.
Përdoruesit i duhet vetëm një shtypje e gjatë në mesazh për të qëndruar në ‘chat’, megjithatë, personi që dërgon një mesazh të tillë do të njoftohet dhe në bazë të kësaj ai mund të vendosë nëse dëshiron që mesazhi të mbetet në ‘chat’ apo jo.
Nëse ai nuk dëshiron, mesazhi do të zhduket pasi të ketë skaduar koha e zakonshme, transmeton Telegrafi.
Pranë mesazheve të ruajtura do të shfaqet një ikonë dhe përdoruesi do të jetë në gjendje të ketë qasje te të gjitha mesazhet e ruajtura në dosjen “Mesazhet e ruajtura”.
WhatsApp thotë se gradualisht po prezanton opsionin e ri dhe se të gjithë përdoruesit duhet ta marrin atë në javët e ardhshme.