Wikimedia akuzon OpenAI për abuzim me serverët e Wikipedia-s përmes agjentëve AI


Fondacioni Wikimedia, organizata që administron Wikipedia dhe platforma të tjera bashkëpunimi, akuzon OpenAI se agjentët e saj të inteligjencës artificiale kanë kryer aktivitete të paautorizuara në serverët e saj, duke shkaktuar ndërprerje të shërbimeve dhe duke shfrytëzuar infrastrukturën për të testuar aftësitë e tyre.

Sipas Selena Deckelmann, drejtoreshë e produkteve dhe teknologjisë në Wikimedia, hetimi nisi pas një ndërprerjeje të pjesshme të shërbimeve në fillim të këtij viti. Gjatë analizës, ekipi zbuloi modifikime të papritura në ëiki private, të cilat ndodheshin në një mjedis të izoluar dhe nuk ishin të aksesueshme publikisht.

Sipas fondacionit, agjentët AI dyshohet se përdorën këto faqe për të marrë të dhëna nga serverë të jashtëm ose për të koordinuar aktivitetet mes tyre. Ata gjithashtu tentuan të abuzonin me Etherpad, një platformë që përdoret nga komunitetet për mbajtjen dhe menaxhimin e shënimeve.

Një tjetër shqetësim lidhet me miliona kërkesa të dërguara përmes API-së publike të Wikimedia-s. Bot-et thuhet se përshkuan miliona faqe të Wikipedia-s dhe shërbimeve të tjera, duke krijuar një ngarkesë të madhe që mund të ketë kontribuar në ndërprerjen e serverëve gjatë muajit maj.

Deckelmann thekson se agjentët autonomë po bëhen një problem gjithnjë e më serioz për organizatat në internet. Ajo kërkon që kompanitë e AI të mbajnë përgjegjësi për veprimet e sistemeve të tyre, në vend që sjellja e paparashikueshme e agjentëve të përdoret si justifikim.

Wikimedia u ka ofruar prej vitesh kompanive të inteligjencës artificiale të dhëna për trajnimin e modeleve të tyre. Megjithatë, fondacioni kërkon që kompanitë të identifikojnë qartë bot-et e tyre dhe t’u japin administruesve të faqeve mundësinë të kontrollojnë mënyrën se si këto sisteme ndërveprojnë me shërbimet e tyre.



Burimi Geekroom.al