Nata e ndërrimit të viteve këtë vit do vijë me plot surpriza dhe emocione të paharrueshme në Tiranë. Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi tregoi disa nga detajet e mbrëmjes dhe i ftoi të gjithë të mblidhen në sheshin “Skënderbej” për të shijuar nga afër koncertin dhe festivalin e fishekzjarrëve.
“Në pjesën e parë të ditës së datës 30 kemi cirkun e Tiranës që do të zbavitë të gjithë fëmijët, por edhe të rriturit, me numrat që ato kanë kohë që i përgatisin. Për të vazhduar pastaj në pjesën e pasdites me një bandë italiane shumë e famshme, për të kaluar te Silur Show Keys Tirana, dhe pastaj për të vazhduar prapë me DJ.
Ndërsa data 31 dhjetor do të fillojë përsëri me Cirkun e Tiranës, do të vazhdojë me celebrimin e kësaj nate, ku do të jetë Ardit Çuni, do të jetë Era Istrefi, do të jetë Arilena Ara, për të arritur në mesnatë, ku do të jetë spektakli i magjishëm i fishekzjarrëve, nga kryetari i Bashkisë dhe përshëndetjet nga të gjithë të ftuarit që do të jenë; për të kaluar përsëri me Ardit Çunin, Era Istrefin, Arilena Ara, dhe për të vazhduar me DJ. Pra janë disa net që Tirana nuk do fiket, vetëm do festohet”, u shpreh Seferi.
Në intervistën televizive, Seferi tha se gjëja shumë e bukur që e ngroh këtë festë është solidariteti.
“Gëzohem vullnetarizmin e qytetarëve të Tiranës për familjet në nevojë duke bërë që kjo festë mos të gëzohet vetëm nga disa persona, por të gëzohet nga të gjithë qytetarët e Tiranës. Realisht është një moment shumë i bukur për të gjithë kur shikon këtë solidaritet, kur shikon këtë festë që përpara se të mbushë sheshin, mbush shpirtin e qytetarëve të Tiranës”, tha Seferi.