Zbulohet detajet e vizitës së Blinken në Tiranë

Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken pritet të vizitojë Tiranën më 16 Shkurt.

Burime diplomatike në Washington, i thanë gazetarit të Top Channel Muhamed Veliu, se është duke u punuar në finalizimin e detajeve të kësaj vizite, e para për Blinken në Shqipëri, prej vitit 2021 kur ai mori drejtimin e diplomacisë amerikane.

Për momentin nuk dihet qëllimi primar i kësaj vizite, por sugjerohet se vjen si një vlerësimin amerikan për Shqipërinë, si një aleate e SHBA dhe në NATO.

Vitin e shkuar, sekretari Blinken komentoi me nota  të larta pozitive rolin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit në OKB.

Ishte vetë sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken, ai i cili në maj 2021 shpalli Sali Berishën si person “Non Grata” nga SHBA për korrupsion dhe minim të demokracisë. Kjo u shoqërua me një sulm frontal nga Berisha në adresë të Blinken.

Po ashtu sekretari Blinken ka qenë aktiv përmes mesazheve për de-eskalikin e situatës së tensionuar në veri të Kosovës, shtatorin e vitit të shkuar.