Zbulohet një rezervë e konsiderueshme gazi dhe nafte e cilësisë më të lartë në Shpirag

Në Shpirag, zonën naftëmbajtëse më të rëndësishme në Shqipëri, pas një pune thuajse 10 vjeçare dhe arritjes në 6002 metra në thellësi të tokës, është prekur një rezervë e madhe gazi e nafte e cilësisë më të lartë. Ndërkohë, kompania Shell po përgatit testin vendimtar të qëndrueshmërisë së presionit të nëntokës për nxjerrjen e saj lart, i cili në rast suksesi do të thotë një kapërcim historik në jetën ekonomike të vendit.

Edi Rama, Kryeministër:

“Nafta është e një cilësie më të lartë. Hera e parë që ndodh në vendin tonë. Sipas analizave të bëra në laboratorin e holandës nafta e zbuluar në zonën e Shpiragut e njëjta në cilësi me naftën premium të Arabisë Saudite. Investimi i parashikuar dhe projekti që realizohet nga kompania është 3 miliardë euro. Deri në përfundim të të gjithë infrastrukturës së nevojshme investimi total do të jetë 7 miliardë euro.”

Ndërkohë, sipas Ramës ka nisur edhe eksplorimi i fushës së Dumresë nga kompania italiane Eni, ku ka të dhëna shumë optimiste, ndërsa puna është në një stad fillestar.

Belinda Balluku, Zv/kryeministre, Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë:

“Pusi numër 5 tregon punën ekselence të kësaj kompanie. Ndërkohë, Shell po punon edhe në bllokun 4, ku në vitin 2024 nis puna e eksplorimit. Kemi diskutuar edhe për të ardhurat në buxhet me synim që të maksimalizohet fitimi nga prodhimi.”

Parë këto zhvillime të rëndësishme, Kryeministri Rama ka deklaruar se prej një viti po punohet paralalisht për projektin e Fondit Sovran që do të administrojë në rast suksesi të testit final një pasuri kaq të madhe kombëtare. Por, për çfarë do të shërbejë ky Fond?