Zero taksë për bizneset deri në 100 mijë USD

Kryeministri Edi Rama, u shpreh sot zerimi i taksave për biznesin do të ketë impakt pozitiv në shumë drejtime.

Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në Korçë, Rama tha se “ne kemi bërë diçka që do të japë goxha rezultat hap pas hapi. Presim goxha rezultat nga zerimi i taksës së fitimit dhe zerimi i TVSH-së, për të gjitha bizneset që kanë një xhiro 100 mijë USD në vit dhe nga zerimi i taksës së fitimit për të gjitha bizneset që kanë një xhiro deri 140 mijë USD në vit”.

“Është një masë që nuk e ka askush në rajon, në Europë, jo e jo, se aty taksat janë ku e ku më të larta dhe është një masë që kërcënohet seriozisht nga idea të kthehemi prapë tek taksa e sheshtë, po është një kërcënim që do të mbetet në tentativë, sepse nuk diskutohet që nuk do t’i jepet mundësia atyre që ta vënë në jetë”- tha Rama.

Ndërkohë që, theksoi ai, për hotelerinë edhe për atë pjesë të hotelerisë që është përtej limit të 140 mijë USD, pra që është biznes i madh ne kemi një TVSH që është 6% dhe faktikisht është një masë që është kërkuar kohë më parë me insistim nga ky komunitet, të cilët e donin 8% dhe ne arritëm të shkojmë në 6%.

“Kjo është për të thënë, që baza për të ndërtuar bujtina është fantastike, sepse bëhet fjalë për një biznes familjarë ku janë struktura e shtëpive, që patjetër i jep familjes mbrapsht më shumë sesa çdo punë që do të bënte në emigracion, nëse do të ishte një punë e zakonshme, padiskutim, siç është e njëjta gjë për bujtinat e agroturizmit në fshat, ku mbi kursimin e emigracionit, kthimi i një shtëpie në bujtinë në një zonë sado të largët , duke plotësuar parametrat për të qenë agroturizëm, është 100% e analizuar duke bërë të gjithë përshkallëzimin e të ardhurave të emigrantëve nga punë të zakonshme , është e ardhur më e lartë”- tha Rama.

GELDTrade.al