Zonat e mbrojtura mjedisore, tërheqin vëmendjen e turistëve të huaj

Mbrojtja dhe menaxhimi i mirë i zonave të mbrojtura në vendin tonë, ka sjellë më shumë vizitorë dhe të ardhura ekonomike. Në Shqipëri ekziston sistemi i zonave të mbrojtura mjedisore, që mbulojnë mbi 460.000 ha dhe shtrihet në mbi 16% të territorit të vendit.

Baza e sistemit të zonave të mbrojtura mjedisore qëndron kryesisht në 15 parqe kombëtare, disa rezervate natyrore të menaxhuara e peizazhe të mbrojtura, në të cilat gjenden vlerat më të mëdha natyrore dhe të biodiversitetit në vend.

Këto vitet e fundit (pas krijimit të Administratave të Zonave të Mbrojtura Mjedisore), tashmë vizitorët (turistët), të cilët janë pjesë e vizitave dhe ecjeve në natyrën shqiptare, kanë në shumicën e rasteve informacionin e duhur për destinacionet e veçanta që duhet të vizitojnë në këto hapësira.

Turisti në çdo rast merr informacionin e detajuar për burimet natyrore të zonës së mbrojtur mjedisore, për vendndodhjen dhe vlerat e larta natyrore, kulturore, historike, biologjike e trashëgimore të tyre si; shpella, ujëvara, kanione, maja shkëmbore, shtigje kalimi, objekte kulti etj, që ka zona e mbrojtur. Rol të rëndësishëm në këtë drejtim po luajnë punonjësit e AdZM-ve (veçanërisht Rengersat) në terren, që orientojnë vizitorët drejt këtyre pikave. Po kështu, në ndihmë të tyre vijnë edhe tabelat e ndryshme informuese e orientuese që janë vendosur në hyrje dhe vende të dallueshme.

Përparësi në këto zona po merr turizmi i vëzhgimit të shpendëve, sidomos i atyre ujorë. Shquhen Laguna e Karavastasë, e Nartës, e Kune-Vainit, Liqeni i Shkodrës, i Prespës etj.