TIRART – Edicioni i parë 23 – 27 SHKURT 2023

Tirana Art Expo TIRART 2023, që do të organizohet në ambientet e ExpoCity përgjatë datave 23 deri më 27 shkurt 2023, është panairi i parë në vend që i dedikohet tërësisht artit pamor. Në dekadat e kaluara, janë bërë tentativa nga organizma shtetërorë në krijimin e kësaj tradite, por për shkak të mungesës së vizionit, nuk arritën të kishin jetëgjatësi, ndaj organizatorët e shohin si një detyrim dhe përgjegjësi që ashtu si në të gjitha vendet e Europës, Tirana të ketë panairin e vet vjetor në artet vizuale.

Duke parë se tashmë në Shqipëri operon një armatë e tërë artistësh vizualë që hulumtojnë të gjitha mediumet e arteve vizuale dhe që në të njëjtën kohë, tregu është i interesuar për përqasjet tradicionale, por edhe ato bashkëkohore ndaj artit, vihet re një dëshirë për më tepër informacion mbi këta artistë, si dhe për atë çka ata përfaqësojnë në rrafshin artistik, për mundësinë e kontaktit të konsumatorëve të artit me artistët, por në të njëjtën kohë, edhe për mundësinë e ballafaqimit mes tyre.

Ndaj, TIRART 2023 mendon se është momenti i duhur për organizimin e një panairi të arteve vizuale në ambientet e ExpoCity, ku tashmë është krijuar një traditë e shëndetshme e panaireve, dhe ku hapësira e dedikuar është e parametrave më optimalë të kohës.

Në bashkëpunim me Galerinë e Tiranës dhe Akademinë e Arteve, tashmë është bërë një listë e plotë autorësh nga të gjitha trevat shqipfolëse, të cilët për herë të parë, do të jenë të pranishëm me një numër të madh veprash në tërë larminë e mediumeve.

Duhet patur parasysh se breza të tërë artistësh kanë krijuar dhe kanë qenë aktivë sidomos këto tre dekada në qytetet ku ata kanë jetuar, duke mbarsur një mikroklimë artistike, e cila ka përfaqësuar me dinjitet komunitetet ku ata kanë jetuar, njëkohësisht duke u identifikuar me ta. Ky aktivitet i pandërprerë i këtyre artistëve bazuar në një frymë altruizmi dhe dashurie ndaj komuniteteve që kanë përfaqësuar, ka qenë një ndihmesë e jashtëzakonshme në ruajtjen e një fryme kulturore, por në të njëjtën kohë, në mosshuarjen e ndjesisë artistike, madje duke hedhur bazat për krijimin e një brezi të ri artistësh, të cilët operojnë brenda dhe jashtë vendit. Në historinë e artit, këta artistë përcaktohen si retroguarda artistikë, të cilëve të gjithë ne duhet t’i jemi mirënjohës për kontributet që kanë dhënë.

Ndaj në këtë panair do i jepet një hapësirë e konsiderueshme artistëve të retroguardës me gjithë kulturën dhe traditën që ata përfaqësojnë, përkrah artistëve më alternativë që janë në procesin e sfidimit të konvencioneve artistike për krijimin e një dinamike të re artistike.

Në këtë panair është menduar që në nderim të emrave të mëdhenj si Guri Madhi, Sadik Kaceli dhe Janaq Paço, të organizohet një ankand me një nga veprat e secilit prej autorëve.

Ndaj dhe TIRART 2023 do ketë si figura emblematike këta tre artistë të mëdhenj duke u identifikuar me ta. Kjo metodologji e identifikimit të çdo edicioni me një ose më shumë figura të njohura të artit shqiptar, do të kthehet në traditë.

Synimi është të sillet pranë publikut të gjithë përfaqësuesit e arteve vizuale që operojnë në Shqipëri si dhe të konsolidojmë traditën për vazhdimësinë e këtij aktiviteti.

Për edicionet e ardhshme, synimi është tërheqja e artistëve nga vendet e tjera, sidomos nga rajoni, duke krijuar një magnetizim të këtij eventi, por edhe shndërrimi i qytetit të Tiranës në një qendër të vërtetë kulturore me ndikim ndërkombëtar.

Përfituesit e këtij panairi së pari janë artistët e qendrës apo periferisë, ata me reputacion dhe të rinj, galeritë që operojnë në vend, konsumatorët e artit, koleksionistët, institucionet shtetërore dhe private që janë të interesuar të pasurojnë koleksionet e tyre, si dhe publiku i gjerë.

Një tjetër grup i shënjestruar janë edhe të rinjtë, të cilëve do t’u ofrohet një hapësirë e veçantë për të ekspozuar, në bashkëpunim me universitetin e arteve.

Tashmë është momenti i  duhur që artistët të kenë një hapësirë plot dritë, pozitivitet dhe TIRART 2023 ka pikërisht këtë mision, të jetë pranë tyre duke i shërbyer pa asnjë lloj kompleksi, por me përulësi.

Për më shumë informacion, klikoni këtu.